Jam trokë fare!

Po thuaj Trokë fare.
Dhe jam shumë e mërzitur për këtë.
Mbi të gjitha isha edhe e sëmurë me grip këto ditë, kështu që vendosa të dilja, dhe të kujdesesha për veten time.
Sapo dola nëpër rrugë, mendova të shkoja dhe të bleja disa ingredientë për flokët, por normalisht, ajo rrugë më çonte drejt dyqanit të ri që sapo ishte hapur.
Mijëra këpucë.
Dhe vetëm 4 klientë. Ah, ishte parajsa për të hedhur stressin tutje, dhe për ta shkulur nga rrënjët e trupit tim, dhe sigurisht për të vënë një ndjenjë tjetër.
Ndjenjë faji të zgjebosur, se fundja, 1 orë që kalova në atë dyqan, ishte me koshiencë të plotë, biles biles, qeshja me veten kur dëgjoja ndërgjegjen që më thoshte: "Gledia, nuk mund të harxhosh! Gledia mos harxho!"
Dhe unë qeshja me veten, ose ndonjëherë i largohesha atyre palëve që isha duke vëzhguar. Dhe zëri i ndërgjegjes, sa vinte dhe shuhej.
iu aftova me shpejtësi shitëses, me plot 3 palë këpucë, disa çorape, dhe një çantë të vogël dore.
Këtu ishte kulmi i ndryshimeve lunatike, të momentit.
"Ktheji, mos i bli"
"Po ik mi, më lër rehat, nuk kam këpucë"
"Ktheji po të them!"
"Nuk dua tî kthej..e pe sa bukur na rrinin në këmbë?"
"eeeh...mirë , ishallah, nuk ke aq lekë në kartë pra"
"shih, dreqi, më lër mi rehat"

Ndëkohë që një diskutim i këtillë, vazhdonte ne veten time, po mundohesha të ikja sa më shpejt nga dyqani, dhe sidomos mos ta dëgjoja fare shitësen, po thjesht të kaloja kartën, dhe të firmosja faturën, pa e parë fare shumën e totalit në fund.
Totali është gjithmonë shkatërrues.

E mora faturën, dhe firmosa "Ajt për hajër ishallah", kështu që tia bëja qejfin vetes.

Dola nga dyqani sa më shpejt që mundesha.

U ula tek shkallët aty pranë, dhe vesha një nga palët e sapo blera.

Oh, çfarë kënaqësie,
Nuk ka më kënaqësi të madhe, se kur blen rroba të reja. Dhe sidomos në këto momente, kur të duket, se ke thyer të gjitha rregullat e mbijetesës dhe të sjelljes së matur.
Është një përzierje ndjenjash aq e lezetshme, ...faji, eksitimi, qejfi, faji, lekët, lekët, lekët...

"oh...sa bukur duken këpucët"

"lekët"

 

 

 

Mbaj mend periudha të tjera, kur seriozisht kam qenë më trokë se kaq.
Ose afërsisht kaq trokë, mbase më shumë,

Në mes të të ftohtit, në nje qytet, ku uji ngrinte, dhe mezi ecje, unë e veshur, me rrobat e mia më të mira, shkoja në një nga supermarketet më të lira dhe më të këqija të qytetit.
Oh...duke filluar që nga zhuli që kishte mbuluar të gjithë dyshemenë e dyqanit, gjer në shumë mallra gjysëm të hapura, dhe të ngrëna, nga konsumatorët e tjerë, të grupit " kemi shumë kohë që na mblodhi jeta trokë".

Vjen një periudhë në kështu fazash në jetë, që nuk zgjedh më, se çfarë do hash për drekë, ose çfarë mund të gatuash si ëmbëlsirë për ditën e djelë.
Harroji gatimet me ushqime organike ose me fruta dhe perime të freskëta.

Unë e kam pasion kuzhinën, po në këto raste, ishte shumë e thjeshtë...hyn në supermarket(ç'supermaket zeza, hyn në stan) dhe shkon vetëm drejt objekteve me pulla të kuqe.
Çdo ushqim me pullë të kuqe, do të thotë që është me 50% ulje.
Nuk kishte shikime anash, ose kontrollime për ushqime të tjera, thjesht blija çdo gjë me pullë të kuqe.

"Sot , dhe nesër, dhe për nja 4 ditë, do hajmë ushqim meksikan!"

"ua, Gledia, po ku mësove të gatuash kuzhinën meksikane?"

"mmm, tek stani, ishin me ulje për këtë javë, kështu besoj gjer të djelën, do ngopemi duke ngrënë si meksikanët, fundja fundit, është dhe një eksperiencë e re. Të premtoj, se nga dita e fundit, do të jenë akoma më të shijshme..."

Dhe kështu kalonin ditët. Çdo gjë mendohet dhe shihet me një sy tjetër.
Mbas dita ditësh, nuk ndjen më dëshirë të hysh në dyqane rrobash, nuk ndjen më dëshirë të shkosh në kafe, nuk ndjen më teka në veten tënde.
Koshienca merr një formë prej statuje prehistorike, që ka parë shumë gjatë jetës së saj, dhe nuk grricet më me dëshirat e shpirtit, biles bëhet si një model për të dhe për subkoshiencën gjithashtu, të cilat, mundohen të marrin ndonjë fotografi, perballë kësaj statuje kaq të vendosur.

Një hëre në shtëpinë time , kishim ftuar një shokun tonë për darkë. Edhe pse ishim në ato ditët e të jetuarit trokë, vazhdonim të ftonim njerëz për darkë, plus që këtë herë ishte periudhë vere, dhe frutat ishin lirë, dhe ushqimet shumë më të lehta se sa në dimër. Gjë që shpjegon dhe çmimim më të ulur dhe shpenzime shumë më pak se në stinën e ftohtë.

Pasi hëngrëm të tre, duke bërë muhabet, e duke pirë fshehurazi verën që Aline përdorte për të gatuar, Jean ( shoku që kishim ftuar) u çua në këmbë, dhe pasi pastroi tavolinën, u vetë propozua për të larë enët.

Ada më hodhi një shikim vërenjtës. Oooops,
Nuk kemi shumë solucion për të larë enët, dhe si i bie,
do rrimë dhe 4 ditë këtu, kështu po ti mbledhim enët për këto 4 ditë, mund tia dalim t'i lajmë me aq solucion që ka ngelur, të gjitha njëherë e mirë!
Duhej vepruar shpejt,

Ada u çua direkt, dhe e tërhoqi Jean nga krahu.

"Eja ulu, në vendin tonë, miqtë jan miq, dhe janë më të respektuar se të zotërit e shtëpisë"

Jean filloi ta shihte me ëmbëlsi, po dhe shumë i habitur.
"Por këtu jemi në një vend tjetër, dhe miqtë, ndihmojnë njerëzit e shtëpisë kur vijnë për darkë"

Ada filloi të bëjë disa mimika të çuditshme në fytyrë, dhe ktheu kokën drejt meje.
Me shpejtësi , i drejtoj gotën e saj të verës nga Jean.
Ada, kapsalliti sytë para meje, dhe unë me një të qeshur të brendshme, e ftova Jean që të ulet, dhe të mbarojë ketë verën që sapo "ia hodha"

Normalisht, nuk është se patëm ndonjë diskutim mbi vjedhjen e gotës së verës, por të paktën shpëtuam 2 a 3 franga të mira, pa harxhuar.

Por kam vënë re diçka, që të qënurit trokë, të japin një liri të madhe. Nuk ke më probleme për tu stressuar,
Vjen një moment, që i hedh të gjitha problemet në kosh, dhe nuk ke më se çfarë ti bësh. Ideja më e mirë është " Mos merr borxh"
dhe më pas je në rregull me ndërgjegjen dhe shoqërinë.
Ok, që të kuptohemi, "mos merr borxh" në shoqëri është fjala, se nëse banka gabon, dhe të jep disa qindra franga më shumë, mblidhi fort në dorë, dhe largohu pa bërë zë.
Nuk i mbaj mend sa herë që kam kaluar kartën diku, për të blerë diçka, kam patur atë sensacionin, që shitësi do ma kthente " më falni zonjushë, po karta nuk lidhet, a keni kartë tjetër?"

"Ndërgjegje, kemi kartë tjetër?"

"kartë tjetër?dhe atë tjetrën e ke ngrënë"

"nuk po tallem tani, kemi kartë tjetër?"

"Jemi trokë mendje, jemi trokë"

Dhe normalisht, ngrej kokën nga shitësja, dhe i them:
" E pamundur, më ler të tërheq lekë në bankë, dhe të kthehem përsëri"
Dhe ndëkohë ne mendjen time është kjo fjali:
"E pamundur, më ler të tërheq këmbët nga erdha, dhe të mos ta sjell fytyrën time më kurrë këtu".